E përditësuar
11:23 – Pyetja e fundit që avokati Luka Mishetiq i parashtroi dëshmitarit amerikan, Jock Covey, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhej me pretendimet se Hashim Thaçi kishte synuar të merrte pushtetin në Kosovë përmes kryerjes së krimeve.
“A keni parë ndonjë gjë që do t’ju bënte të besoni që Hashim Thaçi përpiqej të merrte pushtetin në Kosovë duke kryer krime, qoftë personalisht për t’i kryer këto krime, apo përmes pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime, pra në interes të tij”, pyeti Mishetiq, dëshmitarin.
Covey e mohoi këtë gjë.
“Jo. Mendoj që shumë shpejt kemi arritur në vlerësimin se ai nuk e kishte pushtetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë, për më tepër, unë pra ne, arritëm në vlerësim se ai e dinte se nuk i kishte këto kushte, pra këtë fuqi. Ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi atë si mund ta bënte për ta kuptuar krijimin e tij politik. Ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim, pra duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet, ky ishte angazhimi më i mirë që mund të kërkohej nga një politikan që po bënte atë që duhej. Këto veprime i shërbyen edhe interesave të tij personale, po e arrinte këtë gjë. Ritheksoj se nuk ishte vlerësim që u arrit duke qenë naiv, kishim gjykim të qartë dhe prisnim të shihnim se si Thaçi do shfaqej më tej në raport me neve”.
Covey ndër të tjera tha se Thaçi ishte shumë i zgjuar.
“Ky person, një i ri që ishte ndoshta jo shumë i zhvilluar, por ambicioz dhe shumë i zgjuar, me ambicie politike të cilat ishin përtej aftësisë së tij për t’i imponuar këto ambicie, pamë këtë me interes se si ai po përpiqej të ecte përpara në rrugën në të cilën nuk kishte përvojë”, u shpreh dëshmitari./D.B/EO
10:20 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes- James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.
Pyetjet shtesë për dëshmitarin po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, nëpërmjet të cilit kërkonte armë për disa persona nga radhët e UÇK-së gjatë periudhës së demilitarizimit, Covey tha se e kanë kuptuar se tani i akuzuari ishte vetëm urë lidhëse.
“Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey.
Në një deklaratë të mëhershme, dëshmitari kishte thënë se raporti i Thaçit me disa veteranë ishte “në fije të perit”.
“Lidhja e Thaçit me veteranët e vjetër të luftës që kishin luftuar nëpër beteja ishte në fije të perit dhe ishte shumë i kujdesshëm që të mos e tërhiqte shumë perin se mos këputej”, lexoi Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Duke kaluar tek një temë tjetër, me kërkesën e avokatit Mishetiq, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se ofruesi i informacionit ka kërkuar që të jetë informacion konfidencial.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./D.B/EO
Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë seancë do të vazhdojë paraqitja e provave, nga dëshmitarët që janë ftuar nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, dhe e njëjta është paraparë të nis nga ora 09:00.
Nga 11 dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, deri më tani kanë dëshmuar katër prej tyre, James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe Jock Covey./D.B/EO