UBT News

Vazhdon për të tetën herë tentimi për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vazhdimi i seancës nis në orën 10:00 dhe është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

Në pesë tentime, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të re të Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re, për të cilën Albin Kurti nuk i ka votat e nevojshme.

PDK dhe AAK kanë thënë se partia e parë fituese duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për kryetar Kuvendi, derisa LDK ka paralajmëruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Partitë politike nuk kanë përjashtuar shkuarjen në zgjedhje të reja, por për një gjë të tillë, së pari, duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë, pas së cilës ajo do të shpërbëhej dhe presidentja e Kosovës do të caktonte datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

 

Exit mobile version