Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve po vazhdon edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark, vazhdon dëshminë e tij.
Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.
Në dokumentin që iu prezantua dëshmitarit, thuhej se në atë takim ishin Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj.
Dëshmitari tha se i njeh të gjithë këta emra, por që vetëm Thaçin dhe Jakup Krasniqin e kishte takuar.
“Të gjithë ata emra unë i njoh në kuptimin që jo si persona që i kam parë ose takuar vetë. Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë zoti Thaçi dhe Krasniqi dhe emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, tha Durkee.
Për tre ditë në këtë proces ka dëshmuar ish-ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill si i ftuar i radhës nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi.
Sipas njoftimit, seanca ka filluar nga ora 09:00 e do të vazhdojë deri në ora 16:30./S.K/EO/
