Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, ku do të vazhdohet me deklaratën hyrëse të secilit prej katër ekipeve të mbrojtjes.
Në seancën e cila do të fillojë në orën 09:00, avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në pika të shkurtra, do të paraqesin mbrojtjen e tyre kundër akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjykata Speciale ka njoftuar se 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.