Ka vazhduar aktivitetin Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim, në kuadër të “Global UBT Fest 2021”, akademi në të cilën pjesëmarrësit janë duke mësuar më shumë rreth shkrimit të lajmit, teknikave dhe standardeve të fotografisë, si dhe për menaxhimin e mediave sociale, me fokus promovimin e lajmit.
Dita e tretë dhe e katërt e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, ka vazhduar fillimisht me Bul Salihun, i cili ka zhvilluar një orë të veçantë mbi mënyrat dhe teknikat se si shkruhet lajmi, duke i kushtuar vëmendje anës teorike dhe bashkëbisedimit me studentët pjesëmarrës, duke ndërlidhur këtu edhe metodat dhe teknikat e gazetarisë me definicionet për informimin dhe informatën, si tema të veçanta që prekin fushën e gazetarisë.
Studentët pjesëmarrës kanë vazhduar me pjesën praktike dhe shkrimin e një lajmi, redaktimin e lajmit, e më pas publikimin e tij në portalin UBTNEWS.
Profesoresha në UBT, Anisa Rada, ka vazhduar Akademinë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, me ligjëratën dhe pjesën praktike të kursit të fotografisë. Ajo e ka shtjelluar rëndësinë e fotografisë, rolin e saj në shoqëri, për të vazhduar më pas me mënyrën se si realizohet fotografia, duke e praktikuar secili studentë veç e veç.
Ndërkaq Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT ka vazhduar me punëtorinë rreth mediave sociale. Në kuadër të kësaj punëtorie, Rrita Reka ka njoftuar studentët më shumë rreth mënyrës së funksionimit të mediave sociale, algoritmit, kategorive të ndryshme të mediave sociale dhe rëndësisë së përmbajtjes për çdo platformë sociale.
Përgjatë kësaj punëtorie është analizuar prezenca online e mediumeve ndërkombëtare dhe strategjia e tyre për publikim të informacioneve, për optimizmin e mediave sociale për të përçuar informacionin tek target audiencat e caktuara, teksa është bërë edhe krahasimi që kanë këto media me mediat lokale në Kosovë.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT do të vazhdojë aktivitetin ditëve në vijim me tema të ndryshme dhe interesante, në kuadër të “Global UBT Fest 2021”.