UBT News

Vazhdojnë të mbushen spitalet nga gripi sezonal

Gripi sezonal vazhdon të shkaktojë shqetësime në vend, me një numër të lartë pacientësh që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të rënda. Ambulancat dhe spitalet janë të mbushura me pacientë që vuajnë nga dhimbje kyçesh, muskujsh, ethe dhe kollë. Si të rriturit ashtu edhe fëmijët po preken nga gripi, i cili është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikacione të rënda, sidomos tek fëmijët.

Mjekët theksojnë se gripi fillon papritur, në dallim nga një ftohje e zakonshme, dhe mund të zgjasë deri në dy javë. Pavarësisht simptomave të zakonshme të gripit, disa pacientë po përjetojnë një periudhë më të gjatë të sëmundjes, pasi simptomat tani mund të zgjasin 4 deri në 5 ditë më shumë se zakonisht.

Ata që janë vaksinuar kanë shpëtuar deri tani nga gripi, duke mos u prekur nga forma më e rëndë e tij. Fëmijët, megjithatë, mbeten më të rrezikuarit, pasi gripi mund të përparojë shpejt tek ata. Specialistët këshillojnë që të shmangen grupimet e mëdha dhe kontaktet e afërta me individë të tjerë për të parandaluar përhapjen e gripit, si dhe të mbahet një higjienë e kujdesshme.

Deri tani, rreth 1.350 qytetarë janë sëmurë nga gripi që nga fillimi i sezonit, dhe vetëm javën e kaluar janë regjistruar mbi 330 raste të reja. Sipas epidemiologëve, piku i gripit ende nuk është arritur dhe pritet të shfaqet deri në fund të muajit, pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor. Gripi është një infeksion viral i frymëmarrjes që mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe, në disa raste, mund të çojë në komplikacione më serioze./UBTNews/

Exit mobile version