Disa qytete në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, gjatë natës së kaluar ishin cak i sulmeve ajrore ruse, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky arriti në Japoni, më 20 maj, në samitin e Grupit shtatë (G7) të ekonomive udhëheqëse të botës.
Autoritetet ushtarake ukrainase informuan se gjatë natës, 18 dronë u rrëzuan mbi kryeqytet.
“Të gjitha objektivat e zbuluara ajrore u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, shkroi në Telegram Sergey Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.
Zjarri pati edhe në një ndërtesë banimi si pasojë e një sulmi me dronë, por nuk ka pasur viktima.
Zelensky në samitin e G7-ës
Në një postim në Twitter, menjëherë pas arritjes në qytetin japonez të Hiroshimës, Zelensky shkroi se samiti nënkuptonte “siguri dhe bashkëpunim më të mirë për fitoren tonë”.
Në Hiroshimë, Zelensky do të takohet me udhëheqësit e G7-ës, më 21 maj, për të biseduar për pushtimin rus dhe për të bërë thirrje për më shumë ndihmë ushtarake.
Në prag të samitit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden informoi udhëheqësit e G7-ës se SHBA-ja do t’i ndihmojnë përpjekjet e aleatëve për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë të avancuar F-16.
Raportet e mediave thonë se trajnimi me siguri se do të zhvillohet në Evropë dhe do të nisë pas disa javësh, shkruan Rel. Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se ai e përshëndetë lëvizjen e Washingtonit për të trajnuar pilotët ukrainas dhe shkroi në Twitter se Britania “do të punojë së bashku me Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën për t’i dhënë Ukrainës aftësitë ajrore luftarake që i nevojiten”.