Numër i konsiderueshëm i punëtorëve e makineri e rëndë, përkundër motit me shi, janë duke punuar edhe sot me intensitet në thellësi të fshatit Varagë të Zubin Potokut, në përpjekje të sanimit të dëmit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Njëri nga punëtorët tha se është duke u punuar në krijimin e një baj-pasi i cili do të mundësojë lëvizjen më të lirshme të ujit që vjen nga liqeni i Ujmanit.
Sipas tij, kjo do të mundësojë pastaj që të punohet më lehtë në kanalin e dëmtuar për shkak se nuk do të ketë rrjedhje të ujit.
Në anën tjetër, Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë, përmes faqes së saj në Facebook, ka njoftuar qytetarët në lidhje me gjendjen aktuale të furnizimit me ujë.
“Si rezultat i gjendjes së krijuar, jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të furnizimit me ujë të pijes për konsumatorët tanë. Impiantet në Shipol dhe Balincë janë duke operuar me kapacitete të plota dhe trajtimi është duke u zhvilluar në kushte normale të punës. Deri në raportin final nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë [IKShPK], uji mbetet i papijshëm dhe mund të përdoret vetëm për higjienë”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.
Zona ku ndodhi sulmi terrorist para gjashtë ditësh po vazhdon të vëzhgohet prej së afërmi nga Policia e Kosovës.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.