UBT News

Vazhdojnë kërkesat që TikTok të ndalohet për shkak të shqetësimeve për sigurinë rreth të dhënave

Një zyrtar i lartë në rregullatorin amerikan të komunikimit po i kërkon kompanisë Apple dhe Google që të largojnë TikTok-un nga dyqanet e tyre të aplikacioneve për shkak të shqetësimeve të sigurisë së të dhënave që lidhen me kompaninë në pronësi kineze.

Brendan Carr, një anëtar republikan i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), u ka shkruar një letër shefave ekzekutivë të të dy kompanive duke thënë se aplikacioni ka mbledhur një sasi të madhe të dhënash të ndjeshme rreth përdoruesve amerikanë që mund të aksesohen nga stafi në ByteDance.

“TikTok nuk është thjesht një tjetër aplikacion video”, tha Carr në Twitter. “Ai mbledh një sërë të dhënash të ndjeshme që raportet e reja tregojnë se janë duke u aksesuar në Pekin”.

Carr tha se kjo e bëri TikTok-un të mos ishte në përputhje me politikat e Apple dhe Google të dyqaneve të aplikacioneve, dhe ai u kërkoi kompanive që ose ta hiqnin atë nga dyqanet e tyre të aplikacioneve deri më 8 korrik ose t’i shpjegonin atij pse nuk planifikonin ta bënin këtë.

Një zëdhënëse e TikTok-ut pranoi se inxhinierëve të kompanisë në vende jashtë Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kinën, mund t’u jepet akses në të dhënat e përdoruesve të SHBA-së “sipas nevojës” dhe nën “kontrolle të rrepta”.

TikTok vitet e fundit ka qenë nën kontrollin rregullator mbi mbledhjen e tij të të dhënave personale në SHBA./UBTNews/

Exit mobile version