UBT News

Vazhdojnë edhe sot protestat e transportit publik në Prishtinë

Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.

Përfaqësuesi i punëtorëve të Trafikut Urban, Elmi Gashi ka deklaruar se deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, do të vazhdojnë me protesta.

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Gashi.

Sekretari i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, Ismet Haliti,u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt.

“Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës, të hënën nuk janë deklaruar lidhur me këtë situatë. Hulumtues nga Instituti GAP thonë se pritjet që problemet buxhetore të tejkalohen brenda ditës janë të gabuara.

Që një javë, në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik, ndaj banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative./S.K/EO/

Exit mobile version