UBT News

“Vatra” nderon me medalje ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconin

Federata Pan-Shqiptare “Vatra” ka nderuar me medalje ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndaj popullit shqiptar.

“Vatra” ka si qëllim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetari i Federatës, Elmi Berisha, i cili njëherazi është edhe profesor i angazhuar në UBT, njoftoi se do të fillojë nderimet për shumë drejtues botërorë që kanë mbështetur Shqipërinë dhe shqiptarët, duke nisur me Silvio Berlusconin.

“Të kujtojmë sa mirënjohës jemi ndaj vendeve perëndimore si Amerika, Italia, Franca, Gjermania, Austria dhe Anglia. Ndihma e këtyre vendeve ka qenë thelbësore. Po të mos ishte për presidentin Wilson dhe Fan Nolin që i kërkoi të ndihmonte Shqipërinë, ndoshta nuk do të ishte këtu Shqipëria sot, dhe as Kosova nuk do të ishte e pavarur. 1990-a ishte një vit kritik, kur demokracia erdhi në këtë zonë dhe Amerika e vendet të tjera qëndruan krah nesh. Amerika dhe, në veçanti, Italia, kanë mbështetur Shqipërinë në fushat e edukimit, politikës, ekonomisë dhe demokracisë. Sot është nder të kujtojmë Silvio Berlusconin, kryeministrin e Italisë, një njeri brilant që ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me Amerikën. Miqtë e Amerikës janë edhe miqtë tanë, shqiptarë e kosovarë. Silvio Berlusconi ka qenë krah nesh në kohë të vështira”, tha profesori Berisha.

Medaljen e priti Marco Marrone, këshilltar i ish-kryeministrit të ndjerë Berlusconi, i cili udhëtoi nga Roma në emër të Paolo Berlusconi, vëllait të tij. Në pamundësi të prezencës së tij në Tiranë, Paolo Berlusconi dërgoi falënderime dhe mirënjohje përmes një letre.

“I nderuar profesor Berisha, Kryetar i Fondacionit Vatra! Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj për nderimin maksimal që i keni dhënë memories së vëllait tim Silvio nëpërmjet Fondacionit ‘Vatra’! Për këtë arsye, pranoj me shumë emocion medaljen në emër të vëllait tim të ndjerë, Silvio, duke ju shprehur gjithashtu ndjenjat e mirënjohjes sime personale! Duke ju shprehur ndjenjat e mia më të përzemërta dhe të sinqerta të vlerësimit të thellë për punën që ju bëni, ju përshëndes me nderime! Me respekt, Paolo Berlusconi”, shkruhej në letër.

“Vatra” u themelua në vitin 1912 në Boston me misionin për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. “Vatra” u themelua si një bashkim shoqatash me të njëjtin qëllim nga Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleksi dhe Vait Mira./UBTnews/

Exit mobile version