UBT News

Varrosen tre të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë

Remzi (Kadri) Kurteshi (1979), Dibran (Ramë) Dibrani (1930) dhe Zeqir (Bajram) Muja, të tre këta nga komuna e Mitrovicës, të vrarë nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe që ishin të zhdukur deri tash, janë varrosur sot në varrezat e martirëve në Mitrovicë.

Trupat e tyre të cilat u identifikuan përmes ADN-së, u gjetën kohë më parë në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës.

Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës, tha se dita e sotme është dhimbje jo vetëm për mitrovicasit, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke përmendur shifra, ai kërkoi nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë më shumë trysni tej shteti serb për dhënien e informacioneve në lidhje me të pagjeturit.

“Janë 1 mijë e 632 raste të cilat ende janë të paidentifikuar dhe të pazbuluar se ku janë. Në Mitrovicë janë 116 persona të cilët hulumtohen dhe kërkohen për t’i gjetur dhe për ti varrosur”, ka thënë Bahtiri.

Bajram Çerkini, kryetar i Shoqatës për personat e pagjetur “Zëri i prindërve”, ka kërkuar nga familjarët e këtyre tre martirëve që dhimbjen e tyre ta kthejnë në krenari.

“Kur gjendet vetëm një person në Kosovë, të gjithëve na jep shpresë se edhe ne do t’i gjejmë…Kisha pasur dëshirë që këtë ankth që e keni ta ktheni edhe në krenari”, theksoi Çerkini.

Nesrete Kumnova, nga “Thirrjet e nënave”, u shpreh se ka bashkëndjerë gjithmonë me familjarët e të pagjeturve.

Sipas saj, Mitrovica sot nuk është vetëm, sepse me të janë edhe familjarët nga Gjakova dhe mbarë Kosova.

Ajo bëri thirrje poashtu tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen më shumë në këtë cështje.

“Ju kam kuptuar gjithnjë dhe kam bashkëndjerë me ju familje të dashura. Sot më ka ftuar baca Bajram që Mitrovica të mos jetë vetëm, por me Mitrovicën, familjet Dibrani, Muja dhe Kurteshi, jemi edhe ne familjarët nga Gjakova dhe mbarë Kosova. …Nga këtu, Mitrovica, ashtu si Cdo ditë nga Gjakova, ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen më shumë që familjarët tanë të rrëmbyer e të zhdukur të na kthehen” , tha Kumnova.

Në anën tjetër, Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së komisionit qeveritar për persona të zhdukur, ka potencuar se sot nga qyteti I Mitrovicës nderohen jo vetëm këta tre martirë, por të gjithë ata që mungojnë.

Ai shtoi se sot kujtohet edhe lavdia e popullit të Kosovës i cili mbijetoi duke qëndruar mbi parimet e së drejtës për liri dhe shtet.

Gara përkujtoi obligimin e institucioneve për të cilat tha se duhet vazhduar me angazhimin maksimal në mënyrë që të ndriçohet fati edhe i personit të fundit.

Ndryshe, ceremonia e varrimit u organizua nën mbikëqyrjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në bashkëpunim me Shoqatën “Zëri i prindërve”.

Exit mobile version