Ceremonia për varrimin e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare ka nisur dhe po mbahet vetëm nga anëtarët e familjes së Kadaresë.
Varrimi i tij po bëhet pas homazheve të bëra nga shkrimtarë, politikanë, gazetarë e akademikë, derisa fjalim ka mbajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pas homazheve në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ceremonia e përcjelljes vijoi me himnin kombëtar dhe fjalën e Kryeministrit që siç u shpreh ai, ia kishte kërkuar bashkëshortja e Kadaresë, Helena.
Rama u ndal tek rastësia e dekorit me simbolet e Nënë Terezës që ndodheshin aty për një shfaqje ndërsa protokolli organizonte homazhet për shkrimtarin.
“Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj shqiptares që i takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës”, u shpreh Rama.