Shqipëria ka arritur një moment historik të rëndësishëm në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian, deklaroi sot Oliver Varhelyi, komisioner i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, në platformën X.
“Gjatë konferencës së sotme ndërqeveritare, ne përgëzojmë vendosmërinë dhe punën e përkushtuar të Shqipërisë,” tha ai, duke nënvizuar se vendi ka përmbushur reformat e kërkuara për të avancuar në këtë proces.
Varhelyi theksoi se me përmbushjen e këtyre reformave, BE-ja është në gjendje të hapë Grupkapitullin e Parë – Themeloret, që do të mundësojë vazhdimin me grupet e tjera të kapitujve të integrimit.
Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka nisur sot në Luksemburg, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, vend që mban Presidencën e radhës së BE-së.
Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga kryeministri Edi Rama, kryenegociatorja Majlina Dhuka dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Pas takimit, rreth orës 09:25, pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto./UBTNews/