Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi u shpreh optimist se populli i Kosovës së shpejt do të mund të udhëtojë pa viza drejt vendeve të BE-së.
Ai këto komente i bëri përmes një video-mesazhi gjatë diskutimit të organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë dhe Instituti i Teknologjisë Rochester në Kosovë (RITK), me temën “Konferencën për të ardhmen e Evropës”.
Komisionari Varhelyi në këtë konferencë foli edhe për investimet e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor që kapin shifrën 30 miliardë euro.
“Shpresoj gjithashtu që të rinjtë e Kosovës do të mund të udhëtojnë së shpejti pa viza në BE, dhe të kenë edhe më shumë kontakte me bashkëmoshatarët e tyre. Dhe ne duke nxitur ekonominë, zhvillimin e rajonit dhe të Kosovës, t’ju ofrojmë të gjitha mundësitë e mundshme në vend. Plani ynë ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro, një e treta për PBB-në në Investime. Kjo paketë do të mbyllë hendekun e zhvillimit ekonomik, me BE-në ku do të ndihmojë në rimëkëmbjen dhe me përparimin në rrugën drejt BE-së“, u shpreh ai.
Varhelyi derisa i ka quajtur të rinjtë e Kosovës si pasuria më e vlefshme, tha se zëri i tyre do të ndikojë shumë në adresimin e zhvillimit ekonomik, bërjes së institucioneve shtetërore të përgjegjshëm karshi nevojave të qytetarëve.
Ai tha se BE mbështet rininë e Kosovës përmes projekteve me vlerë mbi 50 milionë euro.
“Të rinjtë janë pasuria më e vlefshme që ka Kosova. Zëri, idetë dhe pjesëmarrja juaj aktive janë thelbësore për adresimin e më shumë sfidave, duke nisur nga zhvillimi ekonomik, përmes bërjes së institucioneve shtetërore më të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve, deri te pajtimi i vërtetë në rajon. BE-ja mbështet rininë e Kosovës përmes projekteve me vlerë mbi 50 milionë euro. Ato projekte synojnë të zhvillojnë aftësitë tuaja për punësim, përfshirje sociale dhe pjesëmarrje demokratike. Është një investim që brezat që do të vijnë duhet të përfitojnë”, tha komisionari evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim.
Edhe shefi i Zyrës ë BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se liberalizimi i vizave tani është në dorën e Këshillit të Ministrave. Ai tha se edhe Qeveria e Kosovës po përpiqet të komunikojë me 27 vendet anëtare të BE-së për t’i bindur për votën pro për lëvizje të lirë për qytetarët e saj.
“Janë 27 shtete anëtare që duhet të ulen së bashku dhe të thonë, në rregull ky është vendimi sepse ne ndihemi rehat dhe se Kosova është një partner i besueshëm. Pra, në fakt kërkon një lloj korrelacioni ndërmjet institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Parlamentit dhe të tjerëve, por edhe qeveria e Kosovës në fakt përpiqet të komunikojë me ato 27 shtete anëtare për t’i bindur të gjitha”, tha ambasadori Szunyog.
Ndërsa Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci theksoi se të rinjtë kosovarë janë të vetmit që ende nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë, veprim ky i cili sipas tij të rinjve kosovarë u jep një ndjenjë përjashtimi.