Më shumë se 50 njerëz kanë vdekur në Indi gjatë tre ditëve të fundit, pasi një vapë brutale vazhdon të përfshijë disa pjesë të vendit.
Rreth 33 persona vdiqën në shtetin verior të Uttar Pradesh gjatë fundjavës, ndësa në shtetin Odisha (Orissa), rreth 20 njerëz vdiqën për shkak të nxehtësisë, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve ANI.
Shumë prej këtyre vdekjeve u raportuan më 1 qershor ndërsa India votoi në fazën e fundit të votimit për zgjedhjet e saj të përgjithshme. Rezultatet e zgjedhjeve pritet të shpallen më 4 qershor.
Çdo pesë vjet, India mban zgjedhjet e saj të përgjithshme në muajt e verës, prill dhe maj. Por këtë vit temperaturat kanë qenë rekord, ku vendi po përjeton valë të nxehta të shpeshta, më intensive dhe më të gjata.
Ministria federale e shëndetësisë thotë se ka pasur të paktën 56 vdekje të konfirmuara për shkak të të nxehtit nga 1 marsi deri më 30 maj.
Në Uttar Pradesh, disa policë vullnetarë, zyrtarë të votimit, roje sigurie dhe staf sanitar ishin midis atyre që vdiqën gjatë fundjavës.
Navdeep Rinwa, shefi zgjedhor i shtetit, u tha gazetarëve se familjeve të personelit zgjedhor të vdekur do t’u jepej një kompensim monetar prej 1.5 milion rupi (18,000 dollarë; 14,000£).
Z. Rinwa tha gjithashtu se një burri që po qëndronte në radhë për të votuar i ra të fikët për shkak të vapës. “Votuesi u transportua në një institucion shëndetësor, ku u konstatua i vdekur pas mbërritjes,” tha ai.
Vdekje të dyshuara të lidhura me nxehtësinë janë raportuar gjithashtu nga shtetet e Bihar, Madhya Pradesh dhe Jharkhand.
Nxehtësia në Indinë veriore dhe qendrore dhe pjesë të perëndimit ka qenë e pandërprerë për dy javët e fundit, me temperaturat maksimale që lëvizin rreth 45-46C për ditë të tëra dhe madje deri në 50C në disa zona.
Disa rajone po përjetojnë mungesa të mëdha të ujit dhe energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit të energjisë./BBC/