UBT News

Vance u takua me udhëheqëset e BE-së në Romë, synon zbutjen e tensioneve tregtare

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, është takuar të dielën në Romë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ku u diskutuan tensionet tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, si dhe tema të tjera të sigurisë dhe politikës së jashtme.

Pas takimit, Vance u shpreh se shpreson që bisedimet të shënojnë fillimin e një procesi të ri negociatash për një marrëveshje tregtare afatgjatë ndërmjet dy palëve.

Evropa është një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara… por, siç ndodh ndonjëherë edhe mes miqve, kemi disa mosmarrëveshje, përfshirë tregtinë,” tha ai, duke folur përballë gazetarëve, së bashku me von der Leyen dhe Melonin, menjëherë pas pjesëmarrjes së tyre në Meshën inauguruese të Papa Leos.

Aktualisht, SHBA-ja ka vendosur tarifa të konsiderueshme mbi importet e çelikut, aluminit dhe makinave, si dhe një tarifë bazë prej 10% për pothuajse të gjitha vendet, me një tarifë shtesë prej 20% ndaj Bashkimit Evropian nëse negociatat nuk japin rezultat brenda një periudhe 90-ditore.

Von der Leyen deklaroi se është optimiste për një zgjidhje. “Ne të dy duam një marrëveshje të mirë që sjell përfitime për njerëzit dhe bizneset në të dyja anët e Atlantikut,” tha ajo. Sipas saj, marrëdhënia tregtare BE-SHBA është më e madhja në botë dhe kap vlerën mbi 1.5 trilion dollarë në vit. Ajo shtoi se ekspertët nga të dyja palët po punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe se tashmë janë shkëmbyer dokumente që përshkruajnë fushat specifike të diskutimit.

Përveç tregtisë, von der Leyen tha se kishte diskutuar me Vance edhe për situatën në Ukrainë dhe çështjet e mbrojtjes. “Të gjithë e dimë që djalli fshihet në detaje, por ajo që na bashkon është dëshira për një marrëveshje që i shërben qytetarëve tanë,” tha ajo, duke shtuar se ekipet janë të përkushtuara për të gjetur zgjidhje.

Megjithatë, marrëdhëniet mes liderëve mbeten të ftohta. Von der Leyen nuk ka zhvilluar ende një takim zyrtar me Presidentin Donald Trump që kur ai rifitoi presidencën në janar, duke shkëmbyer vetëm përshëndetje të shkurtra në funeralin e Papa Françeskut muajin e kaluar në Vatikan.

Pavarësisht kësaj distance politike, takimi në Romë sinjalizon një vullnet të përbashkët për të rivendosur besimin ekonomik mes dy aleatëve tradicionalë në një kohë të rënduar nga tensionet globale.

Exit mobile version