Finlanda është e gatshme ta mbështes Kosovën në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ka thënë kryediplomatja finlandeze, Elina Valtonen. Ajo theksoi se në takimin e sotëm me homologen e saj Donika Gërvalla kanë diskutuar edhe për intensifikimin e raporteve tregtare. Ndërkaq Gërvalla deklaroi se temë e diskutimit ka qenë edhe veriu dhe hapja e Urës së Ibrit.
Gërvalla theksoi se kjo vizitë reflekton lidhjet e forta dhe të pandërprera dhe bashkëpunimin e ngusht mes të dyja vendeve.
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona sot u përqendrua në sfidat aktuale të sigurisë së Evropë, agresioni rus kundër Ukrainës dhe sjellja hegjemoniste dhe agresive ndaj fqinjëve dhe aleatëve të Rusisë në Evropë, paraqesin një kërcënim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje. Kosova qëndron fuqishëm në mbrojtje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet. Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë”, deklaroi ajo.
Ministrja Gërvalla shtoi se Kosova është e përkushtuar të forcojë marrëdhëniet me NATO-n dhe ka për synim anëtarësimin në këtë aleancë.
“Kemi diskutuar edhe për zhvillimet në veri të vendit e veçanërisht për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite duhet të hapet, vetëm kështu ajo është shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe të bashkimit. Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, tha Gërvalla.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen tha se vazhdojnë të jenë mik i Kosovës dhe mbështetës për anëtarësim në NATO.
“Finlanda është më se gatshme që të punojë intensivisht për të shtuar raportet tona tregtare dhe për t’i forcuar ato sektorë premtues në mes të vendeve tona, për shembull digjitalizimi, energjia e pastër si dhe ekonomia. Kemi biseduar për agresionin e Rusisë në Ukrainë, për Finlandën kjo është mjaft e qartë, Ukraina ka nevojë për mbështetjen tonë dhe Finlanda do të shndërrojë me Ukrainën për aq kohë sa ka nevojë. Gjithmonë kanë qenë vlerat tona që është sundimi i ligjit, demokracia, liria, të drejtat e njeriut dhe barazia. Këto e udhëheqin punën tonë edhe këtu kuptohet që është një mbështetëse për rendin ndërkombëtar, sigurinë”, theksoi ministrja e Finlandës.
Kryediplomtja finlandeze deklaroi se janë të gatshëm të mbështesin Kosovën në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Kemi biseduar për dialogun e Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të palëve. Finlanda është përkrahës në kuadër të KFOR-it edhe për veprimet në kuadër të EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Finlanda siç është pajtuar në marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve dhe jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që është e mundur që të ju mbështesim në këtë rrugë”, përfundoi ajo.
Pas konferencës, Gërvalla me homologen nga Finlanda kanë vizituar memorialin “Heroinat” në Prishtinë.