Roger Goodell, komisioneri i Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL), ka reaguar ndaj kritikave që kanë shoqëruar njoftimin se Bad Bunny do të performojë gjatë pushimit të pjesës së parë të finales së Super Bowl-it.
Pavarësisht reagimeve të ndryshme, Goodell theksoi se nuk ka në plan të ndryshojë vendimin për zgjedhjen e artistit.
“Nuk jam i sigurt nëse kemi zgjedhur ndonjëherë një artist pa pasur kritika apo reagime nga publiku. Është sfidë kur ke qindra miliona shikues. Por ne duam të ofrojmë argëtim të lartë dhe Bad Bunny është një nga artistët më të njohur dhe me ndikim në botë,” tha Goodell.
Performanca e Bad Bunny-t është veçanërisht e pritur, duke pasur parasysh mungesën e koncerteve të tij në SHBA gjatë viteve të fundit, një vendim i artistit si protestë ndaj politikave antiemigrantore të administratës Trump.
Ai kishte frikë se koncertet mund të shërbenin si mjet për autoritetet për të identifikuar emigrantë ilegalë, duke rrezikuar sigurinë e fansave.
Performanca në Super Bowl, e transmetuar drejtpërdrejt në televizion, ofron mundësinë që adhuruesit ta shijojnë artistin pa u ekspozuar ndaj ndonjë rreziku.
Kjo zgjedhje tregon edhe angazhimin e NFL-së për të sjellë artistë me ndikim global, që tërheqin audiencë të gjërë dhe shtojnë vlerën e eventit më të madh sportiv në SHBA. /A.Z/UBT News/
