UBT News

Valë e re e infeksioneve me Covid-19 në Kinë

Kina po lufton me një valë infeksionesh që ka goditur rëndë të moshuarit, por zyrtarisht ka regjistruar vetëm një pjesë të vogël të vdekjeve nga koronavirusi pasi qeveria ripërcaktoi kriteret me të cilat numërohen vdekjet nga Covid.

Në Spitalin Nr. 5 në Chongqing, holli kryesor i hyrjes ishte shndërruar në një repart të improvizuar Covid kur AFP vizitoi të premten.

Rreth 40 pacientë kryesisht të moshuar dhe të moshës së mesme ishin të ulur në divane dhe shtriheshin në shtretër duke marrë pika IV.

Një infermiere tha se të gjithë prej tyre kishin Covid. Në departamentin e urgjencës ishin duke pritur mbi 50 njerëz.

Një pastruese dhe një infermiere në spitalin e parë i thanë AFP-së se kishte disa vdekje në ditë që nga vendimi i papritur i qeverisë në fillim të muajit për të hequr kufizimet shëndetësore dhe për t’i dhënë fund testimit masiv.

Nuk ishte e qartë nëse të gjitha vdekjet ishin të lidhura me virusin.

Të enjten në mbrëmje, AFP vizitoi një krematorium në jug të qytetit dhe dëshmoi se 40 trupa u shkarkuan në dy orë.

Familjarët e disa prej të vdekurve thanë se vdekjet ishin për shkak të Covid.

Një grua tha se i afërmi i saj i moshuar, i cili vuante nga simptomat e ftohjes, kishte rezultuar negativ, por vdiq pasi nuk mundën të merrnin një ambulancë në kohë.

Një grua në të 20-at i tha AFP se dyshonte se babai i saj kishte vdekur nga Covid, megjithëse ai nuk ishte testuar.

“Ai vdiq shumë shpejt, ndërsa ishte rrugës për në spital” tregoi ajo. “Ai kishte probleme me mushkëritë në fillim”.

Sipas përkufizimit të ri të Kinës për vdekjet nga Covid, numërohen vetëm ata që vdesin nga dështimi i frymëmarrjes – dhe jo kushtet para-ekzistuese të përkeqësuara nga virusi.

Kjo do të thotë që shumë nga të vdekurit në Chongqing – dhe në të gjithë vendin – nuk po regjistrohen më as si viktima të koronavirusit./UBTNews/

Exit mobile version