Vala e të nxehtit që ka kapluar Italinë është intensifikuar të premten me 17 qytete të mëdha në alarm të kuq.
Qytetet në alarm të kuq, që do të thotë se nxehtësia është aq intensive sa përfaqëson një kërcënim për njerëzit e shëndetshëm, janë Ankona, Bari, Brescia, Bolonja, Bolzano, Campobasso, Firence, Frosinone, Latina, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Trieste, Verona dhe Viterbo.
Temperaturat parashikohen të arrijnë në 40 gradë Celsius në pjesë të Italisë jugore në fundjavë, me nivele të larta lagështie të raportuara në të gjithë vendin.
Të enjten, një vajzë një vjeçare vdiq pasi u la në makinë në qytetin Marcon pranë Venecias për disa orë në vapë përvëluese nga babai i saj, i cili kishte harruar që ajo ishte aty. Disa raste të ngjashme janë raportuar në Itali edhe në të kaluarën.