Koordinatori i Qendrës së vaksinimit në Prishtinë Niman Bardhi, në një konferencë për medie tha se gjatë së mërkurës janë vaksinuar 750 persona mbi moshën 65 vjeçare, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë të ditur se në total numri i të vaksinuar ka shkuar në rreth 300 mijë, duke shtuar se interesimi është i madh për të marrë vaksinën nga kjo grup-moshë.
“Sot është dita e parë me radhë nga 65 vjeç e mbi për të moshuarit që kanë bërë aplikimin në platformën online e-Kosova, por edhe ata që nuk kanë mundur të aplikojnë”.
“Aktualisht të vaksinuar vetëm sot janë rreth 750 persona, ndërsa numri total rreth pesë mijë të vaksinës Pfizer. Nëse flasim nga dita e parë nga 29 marsi atëherë kemi rreth 30 mijë vaksina të aplikueshme”.
“… fluksi është shumë i madh sepse është edhe nga linku që kanë parë po aty ka qenë vetëm për komunën e Prishtinës dhe ka pasur që kanë ardhur edhe nga komuna tjera. Me shtim stafit kemi arritur me menaxhuar situatën”, tha ai.
Ai poashtu tha që janë shtuar edhe ekipet e Policisë së Kosovës për të menaxhuar situatën, por që nuk ka pasur parregullsi, raporton EO.
“Nuk është e vërtetë që sot është vaksinuar dikush nga personeli shëndetësor ashtu siç është potencuar, pasi sot vetëm të moshuarit mbi moshën 65 vjeç”, tha Bardhi.
Të mërkurën kanë arritur edhe 38 mijë e 400 vaksina kundër COVID-19 në vend.
Lajmi u bë i ditur nëpërmjet faqes së UNICEF-it teksa u bë e ditur se shpërndarja e tyre do të bëhet në përputhje me Planin Kombëtar të vaksinimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vend.
UNICEF-i ka bërë të ditur se Kosova në fillim të muajit qershor do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX.