UBT News

Vaksinimi masiv mund ta ndalë një valë të re të infektimeve

Vaksinimi më i madh i popullatës me të dy dozat e vaksinës do të zvogëlonte ose parandalonte përhapjen e një vale të re të mundshme të koronavirusit në Kosovë, thotë Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ai thotë se një rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve me COVID-19 është e pritshme, por sipas tij, kjo nuk do të jetë substanciale si herëve tjera, pasi që kategoria më e rrezikuar, siç janë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, tashmë i kanë marrë vaksinat.

“Përhapja e një vale të re varet nga situata e përgjithshme globale, në kontinent (Evropë) dhe tani në rajon. Në Kosovë nuk ka variant Delta që përhapet më shpejtë sesa varianti origjinal. Por, kjo nuk do të thotë që nuk do të arrijë në një të ardhme të afërt. Nga ajo që kemi parë në Britani të Madhe, kemi pasur rritje dhe kjo ka qenë kryesisht te moshat e reja dhe te personat që nuk janë vaksinuar apo nuk e kanë kryer krejt vaksinimin me dy dozat”, thotë ai.

Raka shton se në momentin që vaksinohet popullata me të dyja doza, prekja e personave me virus që qarkullon në botë, ulet në minimum.

“Vaksinimi i plotë është një prej përparësive që duhet të shfrytëzohet në maksimum”, tha ai.

Në shumë vende të botës janë ngritur shqetësime të mëdha për një valë të re të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit Delta të koronavirusit, i cili besohet që është më i transmetueshëm se variantet e tjera.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se në përgjithësi vaksinat edhe ndaj këtij varianti mbeten shumë efektive.

Transmetimi i këtij varianti paraqet problem te vendet që kanë përqindje më të ulët të popullatës së vaksinuar.

Intektologu Ilir Toaj thotë se në dy apo tre muajt e ardhshëm, Kosova do të duhej të vaksinojë më shumë se gjysmë milion qytetarë.

“Goditjen vendimtare të pandemisë për Kosovën mund të japin autoritetet, duke vaksinuar një numër të madh të popullatës”, thotë Tolaj.

Numër i ulët i të vaksinuarve

Në Kosovë, numri i të vaksinuarve konsiderohet të jetë i ulët. Kosova ka nisur vaksinimin në fund të muajt mars. Deri më datën 22 qershor, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë administruar mbi 140.000 doza të vaksinës.

Ndërkaq, brenda ditës, MSH-ja tha më 22 qershor, se janë vaksinuar 6.595 persona dhe me dozën e dytë, deri më tani janë vaksinuar 20.701 persona.

Koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi ka thënë se vaksina ka, por moscaktimi i terminit në platformën e-Kosova, po ndikon që numri i vaksinimeve të jetë më i ulët.

“Përveç kësaj, qytetarët duhet ta dinë se pavarësisht përcaktimit të terminit që e bëjnë, duhet t’i takojnë grupmoshës mbi 65 vjeç. Nëse i referohemi personave me sëmundje kronike, detyrimisht duhet të dëshmojnë mbi problemin apo sëmundjen që e kanë pasur dhe e kanë. Dhe në kategorinë e tretë i kemi pjesëtarët e Policisë së Kosovë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mësimdhënësit”, tha ai.

Autoritetet synojnë që deri në fund të vitit të vaksinojnë 60 për qind të popullatës.

Aktualisht, vaksinimi po kryhet me dozat që Kosova ka marrë donacion nga Bashkimi Evropian dhe nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndërkaq, vaksinat e kompanisë Pfizer, me të cilën qeveria ka nënshkruar kontratë për blerjen e 1.2 milion dozave, nuk dihet se kur do të arrijnë në Kosovë.

Fluks i madh i diasporës

Situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet se është stabile. Numri i rasteve aktive është 165.

Kosova, prej konfirmimit të rasteve të para në mars të vitit 2020, ka regjistruar në total 107.673 raste pozitive.

Prej tyre, 2.253 pacientë kanë vdekur.

Një fluks i madh i ardhjes së qytetarëve të Kosovës nga diaspora mbetet një shqetësim për rritjen e numrit të rasteve me koronavirus.

Vetëm brenda dy javëve të fundit mbi 40.000 qytetarë nga diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Valentina Gara, zëdhënëse në këtë institucion.

“Brenda këtyre dy javëve janë realizuar 287 fluturime. Prej tyre 41.662 udhëtarë kanë ardhur në Kosovë. Udhëtarët kryesisht kanë ardhur nga Gjermania dhe Zvicra”, tha Gara.

Megjithatë, Tolaj thotë se qytetarët e diasporës të cilët vijnë në Kosovë e të cilët janë të vaksinuar, nuk do të paraqesin rrezik për rritjen e rasteve me COVID-19.

“Personat e vaksinuar dhe ata që e kanë kaluar sëmundjen, paraqesin një rrezik minimal për të bartur infeksionin”, thotë Tolaj.

Vendet anëtarë të Bashkimit Evropian janë afër dhënies së një doze të vaksinës për pothuajse gjysmën e popullsisë, ndërsa një e treta e popullsisë besohet se ka marrë të dyja dozat.

Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë dhe punojnë në numër më të madh në Gjermani.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gjermani dhe Instituti Robert Koch, mbi 50 për qind e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërkaq 31.1 për qind dozën e dytë./REL

Exit mobile version