Mungesa e imunizimit në masë dhe shkalla e lartë e infektimit me virusin po bën që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të shtohet numri i fëmijëve të prekur nga fruthi e lija. Fruthi, si një sëmundje virale që thuajse ishte zhdukur, transmetohet dhe mund të jetë fatale si për fëmijët, edhe të rriturit nëse nuk parandalohet përmes vaksinimit në kohë.
Simptomat fillestare shfaqen 9 deri 14 ditë pas infektimit dhe përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje hundësh, konjuktivit dhe njolla të bardha në brendësi të gojës. Periudhë e rikuperimit zgjat 2–3 javë, shrkuan RTSH.
Beogradi ka shpallur epideminë pasi dhjetëra pacientë janë paraqitur me simptomat e sëmundjes, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë situata është më e rëndë më mijëra pacientë dhe Kroacia raporton për një epidemi të mundshme. Për të mbrojtur në kohë fëmijët nga kjo sëmundje, mjekët prej dekadash rekomandojnë dhe japin vaksinën MMR, me komponentë mbrojtës nga fruthi, rubeola dhe shytat.
“Sipas kalendarit të vaksinimit të vlefshëm në vendin tonë, vaksina bëhet në dy doza, në moshën njëvjeçare dhe kur fëmija regjistrohet në shkollën fillore. Mbrojtja nga doza e parë është 95 për qind, dhe për të pasur të ashtuquajturat ‘imunitet kolektiv’ dhe në këtë mënyrë të parandalojmë shfaqjen e sëmundjes në popullatë, duhet të kemi mbulim vaksinimi 95 për qind ndaj kësaj sëmundjeje. Aktualisht, më pak se 65 për qind e fëmijëve tanë janë të vaksinuar kundër fruthit, kështu që në rastin më të mirë mund të presim epidemi të tilla çdo katër vjet nëse përqindja e fëmijëve të vaksinuar nuk rritet. Aktualisht kemi rreth 4.500 raste të regjistruara në Bosnjë-Hercegovinë që nga dhjetori 2023,” tregon pediatrja boshnjake Aleksandra Vladiçiq (o. Alexandra Vladicic).
Në rënien e numrit të fëmijëve të vaksinuar ka ndikuar më së shumti informimi dhe njohuria e pamjaftueshme e prindërve për vaksinimin, përkatësisht informimi i prindërve nga joprofesionistët dhe forumet e caktuara në internet.
“Një ndikim të madh ka pasur edhe lobi antivaksinim,” përgjigjet Dr. Vladiçiq./UBTNews/