Në Kosovë ende nuk kanë arritur dozat e reja të vaksinës kundër koronavirusit, doza këto të cilat ishin paralajmëruar se do të vinin gjatë muajit prill.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, lidhur me vonesat për sigurimin e dozave të reja të vaksinave kundër COVID19.
Kohë më parë, në Ministrinë e Shëndetësisë janë deklaruar se UNICEF-i, iu kishte bërë të ditur se 76 mijë e 800 doza të tjera të vaksinës, mund të vijnë përmes COVAX-it, të ndara në dy kontingjente: njëri në fund të prillit e tjetri gjatë majit.
Gjithashtu, kjo ministri ka thënë se 95 mijë doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian, do t’i jepen Kosovës në periudhën maj-gusht.
Ekspertë shëndetësorë, infektologë dhe partitë opozitare, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të veprojnë në mënyrë urgjente, për sjelljen e vaksinës kundër koronavirusit, në të kundërtën, qytetarët po rrezikohen nga infektimet dhe vdekjet që po shkakton COVID-19.
Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është e rrezikuar për faktin se është shteti i fundit që ka dozën kaq të vogël të vaksinave dhe i fundit që nuk e ka siguruar një kontratë për blerje të vaksinës.
“Sa po rrezikohemi është e vështirë të matet, por rreziku është mes nesh, sidomos për faktin qe edhe popullata nuk është duke i respektuar rregullat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si maskat dhe distanca fizike në mënyrë strikte”, thotë Xhemajli.
Në Kosovë, që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në mars të vitit 2020 dhe deri më 29 prill 2021, 2.162 pacientë kanë vdekur nga koronavirusi, ndërsa të infektuar janë regjistruar mbi 100 mijë raste.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, por pas administrimit të 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca, të cilat Kosova i pranoi si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinimi është ndërprerë deri në arritjen e dozave të tjera.
Infektologu Ilir Tolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë që shtyhet vaksinimi i popullatës, është një rrezik potencial që dikush të sëmuret dhe të vdes.
“Në kohën kur nuk kanë qenë të zbuluara vaksina, mundësia e vetme ka qenë që të aplikohen masat për parandalimin e përcjelljes së infeksionit dhe masat për mjekimin e të sëmurëve. Në këtë kohë, kur vaksina me muaj të tërë është në dispozicion, jo vetëm një vaksinë, por mbi nëntë lloje të vaksinave në nivel botëror, është absurde që Kosova ende nuk ka siguruar vaksinat”, thotë Tolaj.