Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës është në rrugën e duhur për sigurimin vaksinave kundër COVID-19.
Pa përmendur sasinë, Zemaj ka thënë se po punohet që të sigurohen vaksinat kundër COVID, të cilat sipas tij, do të jepen falas për qytetarët e Kosovës.
“Jemi në hapa konkret dhe që mendojmë të realizueshëm nëse vaksina hidhet në përdorim që edhe ne ta sigurojmë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës…. Tash mbetët një vlerësim i yni në të dy rrugët. Unë si ministër i Shëndetësisë obligohem dhe zotohem që duhet të siguroj për gjithë qytetarët e mi, pavarësisht çmimit apo mënyrës, se si të arrij që ajo vaksinë të jetë për qytetarët e Republikës së Kosovës…. Unë do t’i vaksinoj falas”, është zotuar Zemaj.
E sa i përket pagës shtesë për punëtorë shëndetësor, Zemaj ka thënë që kjo do të vazhdojë deri në përfundim të pandemisë.
“I gjithë personeli shëndetësor që është në listat zyrtare të pagave në Republikën e Kosovës do të ketë pagën shtesë deri në përfundim të pandemisë. Përshkallëzimi do të jetë edhe në aspektin profesional por edhe të angazhimit të drejtpërdrejtë në luftimin e pandemisë COVID-19, por jo me një dallim të theksuar”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë qytetarët duhet të vazhdojnë në zbatimin e masave që i ka marrë Qeveria e Kosovës, edhe të përgatitemi edhe për muajt në vijim për çfarëdo situate qoftë ajo.