UBT News

Vaksina Moderna, 93 përqind efektive edhe pas gjashtë muajsh

Kompania që krijoi vaksinën Moderna tha se vaksina e saj kundër COVID-19 ishte 93 përqind efektive gjatë gjashtë muajve pas dozës së dytë.

Një analizë përfundimtare e studimit të fazës së fundit të kompanisë, e përshkruar në një deklaratë të enjten, sugjeron se mbrojtja e vaksinës mbetet e qëndrueshme për një kohë të gjatë pasi marrësit të përfundojnë regjimin standard të dy dozave.

Shqetësimi se efektiviteti i vaksinave COVID-19 mund të zbehet ka nxitur planet për doza të treta, transmeton Klankosova.tv.

Sidoqoftë, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për një moratorium mbi masa të tilla.

Të dhënat e fundit të efikasitetit të Modernës nuk janë botuar në një revistë mjekësore dhe detaje të tjera nuk janë publikuar. Megjithë qëndrueshmërinë e dukshme të vaksinës së saj, Moderna po eksploron opsionet për doza shtesë që mund të shmangin llojet e reja të virusit.

Moderna, e cila raportoi fitimin e saj të parë në fillim të këtij viti, kishte të ardhura neto prej gati 2.8 miliardë dollarë në tremujorin që përfundonte më 30 qershor, pothuajse të gjitha prej të cilave janë nga vaksina kundër COVID-19.

Kompania tha në një njoftim se ka nënshkruar marrëveshje për shitjen e vaksinës COVID-19 me vlerë 20 miliardë dollarë për vitin 2021.

Exit mobile version