UBT News

Vajzat afgane do të studiojnë në klasa të ndara dhe do të mësohen nga gratë

Talibanët kanë njoftuar se vajzat në Afganistan do të lejohen të studiojnë në universitet në klasa të ndara sipas gjinisë dhe burka (veshje që mbulon edhe fytyrën) do të jetë e detyrueshme.

Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, vendosi një sërë rregullash që do të drejtojnë qasjen e grave në arsimin e lartë në Afganistan.

Në një konferencë për shtyp, Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të vazhdonin arsimin e tyre universitar, por do të ishte e detyrueshme të mbanin një hixhab. Ishte e paqartë nëse kjo nënkuptonte një shami apo se fytyrat e grave do të duhej të mbuloheshin plotësisht.

Ndarja gjinore gjithashtu do të zbatohet në të gjitha universitetet, që do të thotë se burrat dhe gratë do të duhet të mësohen në klasa të veçanta.

“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku, ne nuk do të lejojmë bashkë-edukim”, tha ai. Studentet femra gjithashtu do të lejohen të mësohen vetëm nga gratë. Haqqani tha gjithashtu se lëndët që mësohen në universitete do të rishikohen.

Talibanët kanë premtuar se qeveria e tyre e re do të jetë më përfaqësuese dhe respektuese e të drejtave të grave dhe vajzave, edhe pse akoma brenda një “kornize islame”, si më parë mbajtën pushtetin midis 1996 dhe 2001.

Atëherë, gratë u penguan të shkonin në shkolla dhe puna, nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa një udhëheqës mashkull dhe u detyruan të respektonin ligjet që qeverisnin “virtytin femëror”.

Pavarësisht premtimeve për një qeveri “gjithëpërfshirëse”, gratë janë ndaluar nga sportet.

Në një intervistë të fundit në kanalin televiziv “Tolo News”, zëdhënësi i talebanëve Sayed Zekrullah Hashimi tha se roli i grave ishte të lindnin dhe të rritnin fëmijë, duke shtuar se “nuk ishte e nevojshme që gratë të ishin në kabinet”.

Para rënies së Kabulit në duart e talebanëve më 15 gusht, universitetet në të gjithë Afganistanin kishin qenë bashkë-edukative dhe gratë nuk duhej të përputheshin me asnjë kod veshjeje.

Numri i studenteve femra në arsimin e mëtejshëm kishte arritur nivele rekord, dhe institucionet si Universiteti Herat dhe Universiteti Ghalib në Kabul kishin më shumë studente femra sesa meshkuj.

Që në momentin që talebanët morën pushtetin, shumë studente femra kanë qëndruar në shtëpi nga pasiguria dhe frika, dhe gratë që dolën në rrugë në protestë ditët e fundit duke kërkuar të drejta të barabarta u pritën me dhunë dhe armë zjarri.

Megjithatë mungesa e objekteve dhe mësueseve femra tashmë po shkakton probleme në universitete, me disa institucione që u thonë studentëve se nuk do të kenë mundësi tjetër veçse të ndalojnë drejtimin e kurseve të caktuara për gratë.

Exit mobile version