‘Vajza afgane’ që u bë e famshme pasi u shfaq në kopertinën e revistës National Geographic në vitin 1985, mori statusin e refugjates në Itali. Lajmi u konfirmua nga Qeveria italiane përmes një prononcimi për media.
Portreti i vajzës atëherë 12-vjeçare, Sharbat Gula, një jetime e grupit pashtun në një kamp refugjatësh në kufirin Afganistan-Pakistan, u realizua në vitin 1984 dhe u publikua një vit më vonë.
Vendndodhja e saj u kuptua dekada më vonë, meqë askush nuk ia dinte emrin. Tashmë në fund të 40-ave, Gula arriti në Romë, sipas zyrës së kryeministrit italian, Mario Draghi.
“Duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë civile dhe në veçanti organizatave jofitimprurëse aktive në Afganistan, të cilat pas ngjarjeve të gushtit të kaluar morën parasysh thirrjen e Sharbat Gulës për t’u larguar nga vendi i saj, kryeministri e mori përsipër dhe organizoi transferimin e saj në Itali në kuadër të programit më të gjerë të evakuimit të shtetasve afganë dhe planit të qeverisë për pritjen dhe integrimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
CNN ka pyetur Qeverinë italiane nëse edhe familjes së saj i është dhënë statusi i refugjatëve, por nuk kanë dhënë përgjigje ende./UBTNews