Ministria siriane e Mbrojtjes njoftoi sot se operacionet ushtarake të drejtuara kundër “mbeturinave të regjimit të Assadit” kanë përfunduar.
Përleshjet në Sirinë veriperëndimore nisën të enjten, pasi luftëtarët besnikë të regjimit të presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad zunë pritë ndaj forcave të sigurisë në Jableh, në provincën bregdetare të Latakisë, duke shkaktuar një valë sulmesh hakmarrëse.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha se më shumë se 1,000 njerëz ishin vrarë në luftime, duke përfshirë 745 civilë, 125 anëtarë të forcave siriane të sigurisë dhe 148 besnikë të Asadit .
Presidenti i përkohshëm sirian Ahmed al-Shara tha se zhvillimet në vend ishin brenda “sfidave të pritshme” dhe bëri thirrje për unitet kombëtar.