Kosova pjesë e njërit nga ushtrimet më të mëdha të NATO-s që udhëhiqet nga ushtria amerikane.
Kosova do të jetë pjesë e 26 shteteve në njërin nga ushtrimet më të mëdha ushtarake të NATO-s në kontinentin evropian që do të udhëhiqet nga ushtria amerikane.
Ushtrimi “DEFENDER-Europe” është ushtrim vjetor i përbashkët, i gjerë dhe multinacional, i përgatitur për të ndërtuar gatishmëri dhe aftësi ndërveprimi mes ShBA-së, NATO-s dhe ushtrive partnere.
Në këtë ushtrim do të zbarkojnë 28 mijë ushtarë përfshirë edhe ushtrinë e Kosovës për herë të parë.
Që nga marsi i këtij viti, 1200 mjete ushtarake kanë filluar lëvizjen nga 4 porte amerikane për në vendet evropiane.
Stërvitja e NATO-s në Shqipëri, “Defender Europe 2021” është konsideruar ndër të tjera jo vetëm një tregues i nivelit të ngushtë të bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të ngushta që Shqipëria ka me SHBA, një nga aleatët kryesorë të saj, por ajo do të thotë shumë dhe në aspektin financiar, sepse pritet të rriten të ardhurat në strukturat ushtarake.
Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard e cilësoi Shqipërinë gjatë një vizite të fundit në vendin tonë si partnere strategjike e sigurisë amerikane në Europë. Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”.
Reagimi i ambasadës
Ne jemi të lumtur që Shqipëria pret #DefenderEurope 21. Si pjesë e stërvitjes ushtarake, afërsisht 28 mijë forca shumëkombëshe nga 26 kombe do të kryejnë operacione gati të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në 12 vende.