UBT News

Ushtari ukrainas vritet duke luftuar me separatistët pro-rusë

Një ushtar ukrainas u vra dhe një tjetër u plagos në luftimet me separatistët pro-rusë në lindje të vendit, kështu ka njoftuar ushtria e Ukrainës.

Ushtari i plagosur u shtrua në spital, ndonëse jeta e tij nuk është në rrezik.

Kjo vdekje e çon numrin total të ushtarëve ukrainas të vrarë në vijën e frontit këtë vit në 65, nga 50 sa ishin një vit më parë, sipas vlerësimit të AFP-së bazuar në informacionin zyrtar, transmeton UBT News.

Ushtria ukrainase ka akuzuar separatistët se kanë qëlluar në pozicionet e saj me mortaja 82 milimetrash dhe granatahedhës.

Së fundi Rusia është akuzuar për përgatitjen e një pushtimi të Ukrainës, megjithëse Moska i ka mohuar këto akuza.

Inteligjenca amerikane ka vlerësuar se 100,000 trupa ruse janë aktualisht të vendosura përgjatë kufirit me Ukrainën.

Ndërsa Moska ka akuzuar Ukrainën se paraqet një “kërcënim” për të dhe NATO-n, pasiqë sipas tyre, dëshiron të zgjerohet në kufijtë e saj.

NATO dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan Moskën të enjten për “pasoja masive” nëse ndërhyn ushtarakisht në Ukrainë.

Kujtojmë që Ukraina Lindore ka qenë në luftë me separatistët që nga viti 2014, me Moskën që shihet gjerësisht si sponsori ushtarak, pavarësisht mohimeve të saj.

Konflikti, i cili ka lënë më shumë se 13,000 njerëz të vdekur, shpërtheu menjëherë pasi Rusia aneksoi Krimenë./UBTNews/

Exit mobile version