Ushtari i parë rus që ishte në gjyq në Ukrainë për krime lufte kërkoi falje në një gjykatë në Kiev të enjten, ndërsa dha një rrëfim të detajuar se si vrau një civil në fillim të pushtimit të Moskës.
“Unë e di që nuk do të mund të më falësh, por megjithatë unë kërkoj falje”, tha rreshteri rus 21-vjeçar Shishimarin në gjykatë, duke iu drejtuar gruas së një civili 62-vjeçar, të cilin ai pranoi se e kishte vrarë në ditët e para të pushtimit.
Shishimarin mund të përballet me burgim të përjetshëm në Ukrainë për akuzat për krime lufte dhe vrasje me paramendim.
Ai i tha gjykatës se e qëlloi burrin teksa ai dhe disa ushtarë të tjerë rusë po tërhiqeshin dhe po përpiqeshin të ribashkoheshin me njësitë e tyre në Rusi.
Ushtarët gjetën një makinë civile, një Volkswagen, të cilën e kishin rrëmbyer.
“Ne donim të arrijmë atje ku ishte ushtria jonë dhe të ktheheshim në Rusi. Rrugës teksa po vozisnim, pamë një burrë. Ai po fliste në telefon dhe tha se do të na dorëzonte”, tha ai.
Shishimarin shtoi se një ushtar tjetër rus në makinë, për të cilin ai tha se nuk ishte komandanti i tij dhe të cilin ai e quajti një ushtar të panjohur, “më tha që të qëlloja”.
“Ai filloi të thoshte me një ton të fortë se duhet të qëlloja dhe se unë bëj një rrezik nëse nuk e bëj. E qëllova në distancë të shkurtër dhe e vrava”, tha Shishimarin para gjykatës.
Ushtari me pamje rinore, i veshur me kapuç gri dhe blu, shikoi drejt tokës me kokën e mbështetur në kutinë mbrojtëse prej xhami ku mbahej, ndërsa Kateryna Shelipova dëshmoi për vdekjen e bashkëshortit të saj.
Ushtarët e tjerë rusë pritet të dalin në gjyq në Ukrainë së shpejti, pasi Kievi thotë se ka hapur mijëra raste të krimeve të luftës që nga fillimi i pushtimit të Moskës. /UBTNews/