Pjesëtarë italianë, bullgarë dhe maqedonas të Batalionit Kinetik të Komandës Rajonale-Perëndim të misionit të KFOR-it janë trajnuar për përdorimin e helikopterëve në kuadër të veprimtarive anti-trazira.
Trajnimi, i cili përfshiu përmirësimin e procedurave të hipjes dhe uljes nga helikopteri, ishte i fokusuar në përdorimin e pajisjeve CRC (Crowd and Riot Control), të cilat janë të domosdoshme për përballimin e situatave të mundshme të trazirave dhe menaxhimin e turmave.
Sipas një njoftimi të KFOR-it, misioni vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i, gjithashtu, siguron lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe punon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për të mbajtur rolet e tij të sigurisë.