Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur mbrëmë në Britaninë e Madhe, ku atje do të trajnojë ushtarët e Ukrainës.
FSK-ja do të bëhet pjesë e operacionit INTERFLEX, ndërsa Ambasada e Britanisë së Madhe sot ka përgëzuar FSK-në dhe Kosovën për solidaritet me Ukrainën që nga fillimi i luftës atje.
“Mbrëmë i uruam lamtumirën një kontingjenti të ushtarëve të FSK-së para se të fluturonin në Britani të Madhe për të mbështetur operacionin INTERFLEX. Kosova ka mbështetur dhe demonstruar solidaritet me Ukrainën dhe popullin ukrainas që nga fillimi i luftës”, thuhet në njoftim.
“Operacioni INTERFLEX zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka për qëllim stërvitjen e trupave të ushtrisë ukrainase. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ofruar gatishmëri për angazhimin e instruktorëve për të ndihmuar në procesin stërvitor të Ushtrisë së Ukrainës në kuadër të këtij operacioni”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.