Ushqyerja me gji, kur është e mundur, mund të shërbejë si mburojë kundër humbjes së aftësive njohëse, duke ndihmuar në parandalimin e saj, sipas një studimi të ri i kryer nga hulumtuesit e UCLA Health.
Studimi zbuloi se gratë mbi moshën 50 vjeç, që i kanë ushqyer me gji foshnjat e tyre, performuan më mirë në testet njohëse, sesa gratë që nuk e kishin bërë kurrë.
Gjetjet, të publikuara në “Evolution, Medicine and Public Health”, sugjerojnë se ushqyerja me gji mund të ketë një ndikim pozitiv në performancën njohëse të grave pas menopauzës dhe mund të ketë përfitime afatgjata për trurin e nënave.
“Shumë studime kanë zbuluar se ushqyerja me gji përmirëson shëndetin dhe mirëqenien afatgjatë të foshnjës”, thekson Molly Fox, autorja kryesore e studimit.
“Hulumtimi ynë është një nga të paktët që ka ekzaminuar efektet e tij afatgjata shëndetësore te gratë”, shtoi ajo.
Rezultatet, që tregojnë performancë më të mirë njohëse midis grave mbi 50 vjeç, që kanë ushqyer me gji, sugjerojnë se ky gjest mund të jetë “neurombrojtës” më vonë në jetë.
Studimi u përqendrua në 115 gra, të cilat morën pjesë më parë në dy teste, 64 prej tyre me depresion.
Rezultatet e disa testeve njohëse të administruara zbuluan, gjithashtu, se pjesëmarrësit që kishin ushqyer me gji, pavarësisht nëse ishin në depresion apo jo, performuan më mirë në mësim, në funksionimin ekzekutiv.
Në rastin e dytë, korrelacioni, veçanërisht për disa prej funksioneve të hulumtuara, ishte edhe më i theksuar.
Gjithashtu, studimi nxorri se sa më gjatë të zgjasë ushqyerja me gji, aq më mirë është shfaqja e performancës njohëse./ATSH