UBT News

Ushqimet e shëndetshme të vjeshtës

Kungulli i Artë

Kungujt janë produkti i artë që e bën vjeshtën krenare në bujarinë e saj. Kungulli përzgjidhet me kujdes për përgatitjen e gatimeve të ndryshme, byrekut të famshëm të trojeve tona, supave apo ëmbëlsirave. Një tjetër metodë për të shijuar kungullin është pjekja në furrë.

Kërpudhat

Kërpudhat janë një burim i mirë i vitaminës B që na ndihmon të marrim energji duke shpërbërë proteinat, yndyrnat dhe karbohidratet. Ato kanë shumë shije e vlera dhe pak kalori. Kërpudhat kanë në përmbajtjen e tyre selenium, zink dhe kalium. Të tre këto minerale janë antioksidantë të fuqishëm të cilat i bëjnë mirë zemrës dhe e mbrojnë atë nga një sërë sëmundjesh.

Lulelakra

Lulelakra përmban antioksidantë të cilët janë thelbësorë për sistemin imunitar. Lulelakra është e pasur me vitaminë B1, B2, B3, B5, B6, B9, C, Omega-3 dhe vitaminë K. Lulelakra njihet si një perime super e shëndetshme sepse është një burim sulforafani, një substancë që sulmon qelizat e dëmshme dhe ngadalëson rritjen e qelizave tumorale. Lulelakra është një burim i mirë fibre që përmirëson tretjen. Një racion me lulelakër përmban 3.35 g fibër dietike, e cila pastron sistemin tretës nga substancat e dëmshme dhe ndihmon kundër mbipeshës.

Molla

Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që të mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh. Studimet kanë treguar që konsumimi i mollës ul ndjeshëm rrezikun e goditjeve në tru. Ngrënia e rregullt e mollës besohet se ul rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2 sepse ajo përmban fibër dhe ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.

Dardha

Dardha ka përmbajtje të lartë fibre, vitamina B2 , C, E, përmban bakër dhe kalium si dhe antioksidantë. Dardha konsumohet së bashku me cipën e jashtme. Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë – ‘Mollët qëroji, dardhët numëroji’. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, konsumi i dardhës ul sasinë e sheqerit në gjak si dhe ndihmon ne mirëmbajtjen e peshës trupore.

Exit mobile version