Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vendimin për heqjen e një pjese të masave të vendosura ndaj Kosovës më 2023, e ka quajtur një lajm të mirë.
Ajo në një postim në rrjetin X, shkroi se transferimi i qeverisjes lokale në veri kaloi në mënyrë paqësore.
“Duke iu falënderuar kësaj, jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi von der Leyen.
Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023, si pasojë e tensioneve në veri.
Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi njoftoi të martën se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim të BE-s, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka thënë ai./S.K/KP/
