Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell nxiti reagime të shumta pas një postimi të bërë dje në Twitter, ku uroj serbët për festën e Vidovdanit.
Reagim të ashpër pas këtij postimi të Grenellit, pati edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka thënë se Beteja e Kosovës nuk ishte e serbëve dhe në të mori pjesë ushtria Ballkanase kundër Perandorisë Osmane, shkruan Telegrafi.
“Nuk ishte betejë e serbëve; ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”, shkroi Çitaku.
E ky reagim i Çitakut siç duket nuk i ka pëlqyer ish-emisarit Grenell, i cili i ka reaguar të njëjtës përmes një postimi në Twitter.
Grenell ka thënë se njerëzit kanë nevojë për punë e zgjidhje.
“Ju ofendoni shumë. Duhet të jetë e lodhshme gjetja e një inati në gjithçka. Njerëzit duan punë dhe zgjidhje – zgjasni dorën”, ka shkruar Grenell.
Pas kësaj sërish i është përgjigjur ish-ambasadorja, Çitaku është shprehur se edhe ajo dëshiron punë dhe zgjidhje, por që qëndrimi i tij për Betejën e Kosovës ishte historikisht i pasaktë.