UBT News

Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh, rrezik nga zjarret

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë lëshoi sot një urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit”.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit, raporton Atsh.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

Exit mobile version