Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili në mëngjes në ora 08:00 e ka përmbyllë ciklin e tij të pandërprerë 24 orësh në kryeqytet, në kuadër të aktivitetit të tij të fushatës të quajtur “24 orë Kryetar”.
Për 24 orë rresht, Uran Ismaili nuk i ka ndalur vizitat e tij me ekipe të shërbimeve të ndryshme të cilat punojnë pandërprerë, që qyteti të funksionojë për të gjithë qytetarët e saj, të nesërmen, kur ata e fillojnë ditën e tyre.
Në serinë e vizitave përgjatë 24 orëve, Ismaili ka vizituar shërbimet të ndryshme të qytetit, përfshirë shoqatat relevante, qendrën emergjente, zjarrfikësit, stacionin policor, barnatoret, tregun e qytetit, shoqatën e taksive e shumë pjesëmarrës tjerë të rëndësishëm në këtë zinxhirë, të cilave iu ka ofruar mbështetjen e tij të plotë dhe zotimin për vëmendje e kujdes të shtuar ndaj tyre, përfshirë përmirësimin e kushteve e mjeteve të nevojshme për punë.
“Ne të gjithë kalojmë një pjesë të mirë të ditës nëpër rrugët e lagjet e Prishtinës. Mirëpo, dje vendosa që Prishtinën ta përjetoj për 24 orë pandërprerë. Ishte përvojë sfiduese dhe e lodhshme, por edhe kënaqësi të cilën e përjetova në çdo minut. Prishtina është një qytet, plotësimi i nevojave të të cilit kërkon angazhim të vazhdueshëm të Komunës: 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës”, ka thënë Ismaili.
“Prandaj, unë besoj që Prishtina duhet të bëjë hapin e radhës dhe të mobilizojë të gjitha kapacitetet e saj në çdo orë të ditës dhe natës. Për ta bërë Prishtinën qytet më të gjallë, duhet ofruar shërbime 24 orëshe: siguri, pastërti, trafik urban…Nëse koncentrohemi vetëm në një pjesë të ditës, shumë raste për përmirësim të jetës sonë do t’i humbim”, ka vazhduar ai më tej.
Ismaili ka thënë se Prishtina ka nevojë për një ekip plotësisht të përkushtuar, një kryetar me orar të plotë.
“Në 24 orët e fundit bëra një test për planin tim të radhës: të bëhem edhe Kryetar i ndërrimit të pasdites e mbrëmjes dhe të jem në krye të detyrës bashkë me shërbyesit e pandalshëm civilë: policët, zjarrfikësit, taksistët, profesionistët shëndetësorë… për 24 orë”, ka përfunduar Uran Ismaili, kandidat për kryetar të Prishtinës.
Ismaili ka thënë se është gati ta marrë detyrën e Kryetarit të Prishtinës, për t’i shërbyer qytetit, duke realizuar planin e tij të zotuar në fushatën elektorale, bashkë me, siç ka thënë ai, me ekipin dhe energjinë për t’u marrë me problemet e mëdha të qytetit tonë dhe qytetarëve të Prishtinës.