UBT News

Ura më e lartë hekurudhore në botë do të hapet së shpejti në Kashmir

Në mes të Himalajeve në Kashmir shtrihet ura më e lartë hekurudhore në botë. Ura mbi lumin Chenab – 1 mijë e 315 metra e gjatë dhe 359 metra e lartë nga shtrati i lumit – do të lidhë rajonin e largët me rrjetin e gjerë hekurudhor të Indisë.

Gjatë kulmit të dimrit, një pjesë e madhe e rajonit të diskutueshëm është shkëputur nga pjesa tjetër e Indisë.

Kjo urë e cila është më e lartë se Kulla Eifel në Paris, shtrihet midis fshatrave Bakkal dhe Kauri në rrethin Reasi të zonës jugore Jammu të Kashmirit.

Me një kosto prej 168 milionë euro, ura është pjesë e projektit Udhampur-Srinagar-Baramulla Rail Link (USBRL), i cili do të lidhë qytetin kryesor të rajonit të Srinagarit me kontinentin e Indisë nëpërmjet rrjeteve hekurudhore në të cilat filloi puna në vitin 1999.

Ura me hark, e bërë nga 28 mijë ton çelik, konsiderohet një mrekulli inxhinierike pasi është ndërtuar në një zonë të prirur ndaj aktivitetit të lartë sizmik. Terreni i ashpër dhe i pabarabartë gjithashtu sjell rrëshqitje të shpeshta të dheut dhe kushte të vështira atmosferike.

Projekti hekurudhor 119 km i gjatë (73 milje) përfshin 38 tunele dhe 931 ura që kanë një gjatësi të kombinuar prej 13 km (8 milje) për ta mundësuar lidhjen hekurudhore.

Derisa inspektoi përfundimin e urës muajin e kaluar, Ashwini Vaishnaw, ministri i hekurudhave të Indisë, pranoi se kjo ishte sfida më e vështirë inxhinierike për departamentin.

“Kjo urë dhe tunelet tjera ishin të vështira, sepse e gjithë kjo zonë është shumë e prirur ndaj aktiviteteve sizmike. Për ta mbrojtur atë nga çdo aktivitet sizmik është përdorur teknologji e posaçme forcuese”, tha ministri.

Dyshimet për këtë projekt që u shtye u adresuan kur ministri tha se lidhja hekurudhore me Srinagarin do të përfundojë deri në dhjetor të këtij viti ose janar të vitit të ardhshëm.

Sipas dokumenteve zyrtare, ura është ndërtuar për t’u bërë ballë erërave të forta dhe tërmeteve me magnitudë të lartë./UBTNews/

Exit mobile version