UBT News

​UNMIK-u shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) organizoi aktivitete për të shënuar 25 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Duke ndjekur temën globale të këtij viti, “Për të gjitha gratë dhe vajzat: të drejta, barazi, fuqizim”, u zhvilluan aktivitete të ndryshme duke filluar me lojën Ragbi, ku morën pjesë shumë ekipe, për të vazhduar pastaj me mbjelljen e pemëve.

Aty morën pjesë shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Aktivitetet u fokusuan në nxitjen e iniciativave që u japin grave dhe vajzave mundësi të barabarta dhe të drejtën për të qenë pjesë aktive e ndryshimeve shoqërore.

Shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se është një ditë shumë e veçantë sepse ky vit sipas saj lidhet me përvjetorin e 25-të të adoptimit të thirrjes së vendimit të Këshillit së Sigurisë. Ziadeh theksoi rëndësinë e këtij vendimi që është i bazuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave që të sigurohet pjesëmarrja e barabartë dhe kuptimplotë në të gjitha hapësirat publike. 

“Ne po festojmë sot një ditë të grave shumë të veçantë, sepse ky vit lidhet me përvjetorin e 25-të të adoptimit e thirrjes së vendimit të Këshillit së Sigurisë, 1325. Thirrja e këtij vendimi është i bazuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave që të sigurohet pjesëmarrja e barabartë dhe kuptimplotë në hapësira publike dhe jam shumë e nderuar që të kem këtu figurën udhëheqëse, Atifete Jahjaga, ish presidentja. Jashtë kemi dëgjuar se është një shembull frymëzues për të gjithë, ajo është një shembull frymëzues për dedikimin e saj për përparimin e agjendës të grave në paqe dhe sigurinë dhe fuqizimin ekonomik dhe ajo është çfarë ne bëjmë në KB”, tha ajo.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishte edhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila tha se megjithëse kanë avancuar sa i përket të drejtave të vajzave dhe grave prapë ka shumë hapësirë pwr pwrmirwsime.

“Kosova dhe vendet e rajonit jemi një shoqëri patriarkale, kemi ecur përpara por ka shumë hapësirë që të përmirësohemi sidomos në fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në shoqërinë tonë, kemi ligje të avancuara por nuk jemi aq mirë në implementimin e tyre. Kemi përfaqësim të konsiderueshëm edhe në nivelin e institucioneve qendrore të institucioneve lokale. Këtë kuotën që e kemi parashikuar me ligj ne duhet ta bëjmë si një normë të përditshme në shoqërinë kosovare”, potencoi Jahjaga.

Ndërsa Visare Berisha, partnerja implementuese e UNMIK-ut në Kosovë tha se këto aktivitete planifikojnë që ti bëjnë edhe vitet e ardhshme. Berisha tha se i kemi kampionët gjinorë, që gjatë vitit të kaluar kanë demonstruar mbështetje të madhe në arritjet e barazisë gjinore.

“Ky është viti i dytë që e shënojmë ditën ndërkombëtare të grave në këtë mënyrë dhe planifikojmë të vazhdojmë edhe në vitet tjera. I kemi genders champions apo kampionët gjinorë, gjatë vitit që e lamë pas kanë demonstruar mbështetje të madhe në arritjen e barazisë gjinore, kontribut në zhvillimin e barazisë”, tha ajo.

Përmes këtij organizimi, UNMIK ripërsëriti përkushtimin e tij për të mbështetur fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë, duke inkurajuar për një të ardhme ku të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë.

Exit mobile version