Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, UNMIK-u rikonfirmon përkushtimin e tij të vazhdueshëm për mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të palëve të tjera me interes, në përpjekjet e tyre për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke përfshirë edhe brenda kontekstit të krizës aktuale të COVID-19.
Në vazhdën e temës së këtij viti, “Të gjithë njerëz, të gjithë të barabartë”, UNMIK-u rithekson thirrjet e tij që të drejtat e njeriut të vendosen në qendër të reagimit ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjes nga kjo pandemi, posaçërisht në avancimin e barazisë, si dhe përfshirjes e mosdiskriminimit në këtë proces.
“Si në Kosovë, ashtu edhe në mbarë botën, pandemia COVID-19 ka thelluar pabarazitë që kanë ekzistuar më parë, duke ndikuar në mënyrë disproporcionale në një numër të madh njerëzish që gjenden në situata të cenueshme. Brenda këtij konteksti, UNMIK-u inkurajon institucionet e Kosovës që në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me palët e tjera të interesit të sigurojë që të gjitha komunitetet të mund të gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre, me theks të veçantë në sigurimin që askush të mos lihet anash”, thuhet në komunikatë.
UNMIK-u thotë se është i përkushtuar në përkrahjen e të gjitha palëve në Kosovë në promovimin e fuqisë së të drejtave të njeriut për të siguruar një të ardhme si një shoqëri paqësore, e hapur dhe e drejtë që është më e fuqishme në kohëra të krizës.