Një delegacion nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNKT) zhvilloi sot një vizitë pune në UBT. Kjo vizitë ishte në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për krijimin e një platforme të veçantë të të dhënave – një HUB-i të nivelit qendror përmes të cilit synohet që në kohë reale të monitorohet përmbushja e Sustainable Development Goals (SDGs), si objektiva globale për të cilat janë zotuar njëzëri të gjitha shtetet anëtare të OKB-së në vititn 2015.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i njoftoi përfaqësuesit e UNKT-së se UBT nga revista prestigjoze globale, Times Higher Education është rankuar në mesin e institucioneve më të mira në botë për impaktin në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në rankimin e Times Higher Education, UBT është vlerësuar për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17) si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1).
Duke e marrë për bazë përvojën dhe ekspertizën profesionale të UBT-së në këtë fushë, gjatë këtij takimi u dakordua që të punohet bashkë me përfaqësuesit e Kuvendit dhe Zyrës për Planifikim Strategjik në Kryeministri për krijimin e një HUB-i qendror në të cilin do të përfshihen të gjitha të dhënat nga niveli lokal e qendror, nga secili sektor publik e privat e të cilat ndërlidhen me përmbushjen e Sustainable Development Goals (SDGs).
UBT dhe UNKT e shohin si domosdoshmëri krijimin e një HUB-it në të cilin do të integroheshin të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave të qëndrueshme, për të monitoruar përmbushjen e 17 objektivave të përcaktuara në kuadër të luftimit të varfërisë, krijimit të barazisë dhe gjithëpërfshirjes si dhe balancimit të qëndrueshëm ekonomik, social e mjedisor.