Një lajm i mirë për ata që shpesh ndihen të irrituar ndërsa lexojnë lajmet online: Oxford University Press ka shpallur Fjalën e Vitit 2025 – “rage bait”!
Sipas analizës së OUP, përdorimi i këtij termi është trefishuar gjatë 12 muajve të fundit. Ai përkufizohet si: “përmbajtje online e krijuar qëllimisht për të nxitur zemërim ose indinjatë nga një situatë provokuese ose fyese për përdoruesit në rrjetet sociale.”
Casper Grathwohl, president i Oxford Languages, tha se ekzistenca e këtij termi tregon se njerëzit po bëhen më të vetëdijshëm për taktikat manipuluese që përdoren për të tërhequr vëmendjen online.
“Dikur interneti synonte të ngjallte kureshtje e klikime, tani përmbajtja po ndikon direkt tek emocionet dhe reagimet tona,” tha Grathwohl.
“Ky është një zhvillim i natyrshëm në një debat të vazhdueshëm mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë të drejtuar nga teknologjia dhe ekstremet e kulturës online.”
Ai shpjegoi se, ndërsa fjalën e vitit të kaluar e përshkruante lodhjen mendore nga shfletimi i pafund (brain rot), “rage bait” nxjerr në pah postimet e krijuara qëllimisht për të nxitur zemërim dhe për të gjeneruar klikime.
Këto fenomene krijojnë cikël ku zemërimi nxit angazhim, algoritmet e amplifikojnë atë dhe ekspozimi i vazhdueshëm rraskapit përdoruesit.
Termi “rage bait” ka qenë i pranishëm që nga fillimi i mijëvjeçarit. Ai u përdor për herë të parë online në një postim në Usenet në vitin 2002, për të përshkruar reagimin e një shoferi të irrituar nga një tjetër që ndez dritat për ta lënë të kalojë.
Më pas, termi evoluoi në zhargon interneti, duke përshkruar postime virale dhe kritika ndaj mënyrës se si rrjetet dhe krijuesit e përmbajtjes përcaktojnë çfarë publikohet online. /A.Z/UBT News/
