Sipas një raporti të UNICEF-it, agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, një në shtatë adoleshentë evropianë vuan nga çrregullime mendore. UNICEF thekson se afërsisht gjysma e të gjitha problemeve të shëndetit mendor globalisht shfaqen para moshës 18 vjeçare, duke ngritur shqetësime për nevojën e identifikimit dhe trajtimit të këtyre çrregullimeve në kohë.
Drejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Henrietta H. Fore, thekson se shumë fëmijë përballen me trishtim, dhimbje dhe ankth, duke u pyetur për vendin e tyre në botë. “Është një ajsberg që ne e kemi injoruar për një kohë të gjatë. Nëse nuk veprojmë, do të vazhdojmë të kemi rezultate katastrofike për fëmijët dhe shoqëritë, shumë pas përfundimit të pandemisë,” theksoi ajo.
Raporti i UNICEF-it zbulon se rreth 11.2 milionë fëmijë dhe të rinj deri në moshën 19 vjeç në Bashkimin Evropian vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Në mesin e adoleshentëve të moshës 15-19 vjeç, rreth 8% vuajnë nga ankthi dhe 4% nga depresioni. Vetëvrasja renditet si shkaku i dytë i vdekjes për këtë grupmoshë, pas aksidenteve rrugore, me rreth 931 të rinj që humbën jetën nga vetëvrasja në vitin 2020 në BE.
Drejtori Fore nënvizon se rreth 70% e të rinjve të moshës 15-19 vjeç që vdesin nga vetëvrasja janë meshkuj, duke bërë apel për një ndërgjegjësim dhe mbështetje më të madhe nga komunitetet dhe institucionet. “Ne nuk mund të presim më gjatë, nuk mund të zhgënjejmë një brez tjetër,” përfundoi ajo.
Me këtë raport, UNICEF kërkon një angazhim të rinovuar për të siguruar një mbështetje më të fortë për adoleshentët në Evropë dhe për të trajtuar sfidat e shëndetit mendor në mënyrë efektive./UBTNews/