COVID-19 ka prekur fëmijët në një shkallë të paprecedentë, duke e bërë atë krizën më të keqe globale për fëmijët që UNICEF ka parë në historinë e vet 75-vjeçare. Është kjo analiza e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, e cila paralajmëron se pandemia po përmbys pothuajse çdo masë progresi për fëmijët.
“Pandemia e COVID-19 ka qenë kërcënimi më i madh për përparimin e fëmijëve në historinë tonë 75-vjeçare. Ndërsa numri i fëmijëve që janë të uritur, jashtë shkollës, të dhunuar, që jetojnë në varfëri ose të detyruar të martohen po rritet, numri i fëmijëve me akses në kujdesin shëndetësor, vaksinat, ushqimin e mjaftueshëm dhe shërbimet thelbësore, po zvogëlohet. Në një vit në të cilin duhet të shohim përpara, ne po shkojmë prapa.”
Në një raport të publikuar sot, UNICEF thekson rritjen marramendëse të fëmijëve që zhyten në varfëri.
“Më shumë se 100 milionë fëmijë janë të zhytur në varfëri shumëdimensionale për shkak të pandemisë, një rritje prej 10 për qind që nga viti 2019. Rreth 1.8 fëmijë çdo sekondë që nga mesi i marsit 2020”.
Raporti parashikon një rrugë të gjatë drejt rifitimit të terrenit të humbur, dhe në skenarin më të mirë, do të duhen shtatë deri në tetë vjet për t’u rikuperuar dhe për t’u rikthyer në nivelet e varfërisë së fëmijëve para-COVID.
Raporti thotë se rreth 60 milionë fëmijë janë tani në familje të varfra, në krahasim me para pandemisë. Për më tepër, në vitin 2020, mbi 23 milionë fëmijë humbën vaksinat thelbësore – një rritje prej afro 4 milionë nga viti 2019 dhe numri më i lartë në 11 vjet.
Sipas UNICEF-it, duhet veprim urgjent për efektin shkatërrues të COVID-19 te fëmijët dhe të rinjtë, mënyrat e ndryshme në të cilat COVID-19 po sfidon dekada të përparimit në sfidat kryesore të fëmijërisë si varfëria, shëndeti, aksesi në arsim, ushqyerja, mbrojtja e fëmijëve dhe mirëqenia mendore.
Pothuajse dy vjet pas pandemisë, ndikimi i përhapur i COVID-19 vazhdon të thellohet, duke rritur varfërinë, duke rrënjosur pabarazinë dhe duke kërcënuar të drejtat e fëmijëve në nivele të padukshme më parë.