UBT News

UNESCO: Vrasjet e gazetarëve në rritje

Numri i gazetarëve të vrarë në mbarë botën është rritur ndjeshëm në vitin 2022, përkundër që gjatë tri viteve të mëparshme u shënua rënie e rasteve të vrasjeve. Kështu njoftoi organi kulturor i OKB-së përmes një raporti që u publikua të hënën.

UNESCO njoftoi se 86 gazetarë u vranë vitin e kaluar. 19 u vranë vetëm në Meksikë, dhjetë në Ukrainë dhe nëntë në Haiti.

Mesatarisht 58 gazetarë janë vrarë që nga viti 2019 deri në vitin 2021, sipas raporteve të mëparshme të UNESCO-s. Në vitin 2021 u regjistruan 55 vrasje. Këto tri vite shënuan një rënie nga viti 2018, ku u vranë 99 gazetarë.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se numri i viktimave të vitit 2022 është “alarmant”.

“Autoritetet duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund këtyre krimeve dhe për të siguruar që autorët të dënohen, sepse indiferenca është një faktor kryesor në këtë klimë dhune”, tha Azoulay.

Pse u vunë në shënjestër gazetarët?

Tri të katërtat e vrasjeve ndodhën në vendet pa konflikt. Amerika Latine është vendi ku u shënuan gjysma e rasteve të vdekjeve.

Disa nga arsyet pse gazetarët u vranë janë për shkak të hakmarrjes për raportimin e tyre mbi krimin e organizuar, konfliktin e armatosur ose rritjen e ekstremizmit.

Gjithashtu disa të tjerë u vranë për mbulimin e temave të ndjeshme si korrupsioni, krimi mjedisor, shpërdorimi i pushtetit dhe protestat.

“Nuk ka hapësira të sigurta” për gazetarët

UNESCO njoftoi se gati gjysma e gazetarëve të vrarë ishin në shënjestër ndërsa ishin jashtë detyrës. Disa u sulmuan gjatë udhëtimit, në parkingje apo vende të tjera publike, ndërsa të tjerët në shtëpitë e tyre në momentin e vrasjes.

Sipas UNESCO-s, kjo nënkupton se “nuk ka hapësira të sigurta për gazetarët, edhe në kohën e tyre të lirë”.

Përveç vrasjeve, gazetarët në vitin 2022 ishin edhe viktima të formave të tjera të dhunës, sikurse zhdukja me forcë, rrëmbimi, ndalimi arbitrar, ngacmimi ligjor dhe dhuna dixhitale, ku veçanërisht gazetaret femra ishin në shënjestër./UBTNews/

Exit mobile version