UBT News

​UNDP: Shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%

Shkalla e varfërisë në vitin 2023 në Kosovë vlerësohet të jetë 16%, sipas analizës së Pulsit Publik “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Analiza, e cila synon të vlerësojë shkallën në të cilën inflacioni ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të njerëzve në Kosovë, është bërë përmes anketimit të 1 mijë e 500 ekonomive familjare dhe hulumtimit të plotë studimor.

Gjetjet tregojnë se shpenzimet për nevojat bazë, duke përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tre viteve radhazi.

Disa nga gjetjet kryesore tregojnë se derisa në vitin 2021, 38.8% e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8% dhe deri në 59.5% të ekonomive familjare në vitet 2022, respektivisht 2023.

Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%. 10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar.

Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur merren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve.

Inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës; 46% të respodentëve deklaruan se stresi dhe ankthi i tyre janë rritur si rezultat i rritjes së çmimeve.

69.2% e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar.

Agon Dobruna, zëvendës ministër i Financave, Zana Gjocaj, drejtoreshë e Departamentit për Stabilitet Ekonomik dhe Financiar – Banka Qendrore e Kosovës, dhe Artan Mustafa, hulumtues i Gjendjes së Mirëqenies Krahasuese morën pjesë në panelin e diskutimit që synonte të nxiste një shpjegim më gjithëpërfshirës të çështjes dhe të lidhte perspektivat dhe veprimet që duhet të ndërmerren.

Diskutimi u përqendrua në të kuptuarit e sjelljes ekonomike të ekonomive familjare përballë inflacionit, pasojat e inflacionit tek ekonomitë familjare, duke përfshirë mirëqenien e tyre, si dhe veprimet institucionale për adresimin e inflacionit.

Ndryshe, Projekti Pulsi Publik, i cili ka hyrë në vitin e 21-të të punës, financohet nga populli amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), thuhet në një deklaratë për media të UNDP-së.

Exit mobile version